Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ushtron aktivitetin e tij në fushën e gjeoshkencave, në bazë të ligjit Nr. 111/2015, datë 15.10.2015, “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, i cili rregullon marrëdhëniet ndërmjet këtij institucioni dhe sektorëve publik e privat, për nxitjen e shfrytëzimit të resurseve minerare në përfitim maksimal të publikut.
Sipas Rregullores “Për Funksionimin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar”, të miratuar me Urdhër Nr. 88, datë 22.02.2016, nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, ka statusin juridik si "institucion këshillimor, teknik dhe shkencor i shtetit, person juridik publik, buxhetor, i cili kryen veprimtari në fushën e shkencave të tokës në territorin e Republikës së Shqipërisë".
Ky institucion i ka fillimet në vitin 1922 , kur u krijua Zyra Gjeologjike, pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Punëve Botërore.
Me 101 vitet e ekzistencës së tij, SH.GJ.SH. mund të konsiderohet institucioni më i vjetër i vendit tonë.
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është anëtar me të drejta të plota që fillim të vitit 2015, në Organizatën e Shërbimeve Gjeologjike Evropianë (EGS). Me këtë anëtarësim, SHGJSH ka të drejtën e vendimmarrjes në këtë organizëm, kjo ndikon në fuqizimin e institucionit dhe përfshirjen në projektet me financim nga KE.
Në objektin e veprimtarisë së Shërbimit Gjeologjik Shqiptar përfshihen:
-
Studimet, vrojtimet, shërbimet, përgjithësimet dhe monitorimet gjeologjike sistematike bazë të vendit, nëpërmjet hartografimit kompleks Në shkallë të ndryshme, në ndihmë të zhvillimit ekonomik, të mirë-administrimit të territorit, burimeve minerale, hidrokarbure, ujore, etj.
-
Studimet, vrojtimet, shërbimet, përgjithësimet dhe monitorimet gjeokimike, gjeofizike, përfshirë sizmikën e cekët (inxhinierike), elektrometrinë, magnetometrinë, gravimetrinë, radiometrinë, matjet e monitorimin e radonit në tokë, ujë, ajër, si dhe në mjediset e brendshme, të çdo lloji e niveli.
-
Kërkimi dhe vlerësimi i mineraleve metalore, jo metalore, materialeve industriale, hidrokarbureve, burimeve ujore nëntokësore, ujërave të pijshëm e industrialë, ujërave minerale, termale e gjeotermale. Kontrolli i bilancit të tyre në mënyrë të vazhdueshme.
-
Studimet, vrojtimet, shërbimet, përgjithësimet dhe monitorimet hidrogjeologjike për rivlerësimin e baseneve ujore, monitorimin e tyre dhe përcaktimin e masave për ruajtjen e rezervave ujore nëntokësore.
-
Studimet, vrojtimet, shërbimet, përgjithësimet dhe monitorimet gjeologjike komplekse për mjedisin.
-
Studimet, vrojtimet, shërbimet, përgjithësimet dhe monitorimet gjeologo-inxhinierike.
-
Studimet, vrojtimet, shërbimet, përgjithësimet dhe monitorimet agro-gjeologjike e të erozionit.
-
Studimet, vrojtimet, shërbimet, monitorimet gjeologjike të gjithë vijës bregdetare dhe të shelfit kontinental të vendit, të dinamikës e veprimit të detit me tokën, të litologjisë së substratit dhe pasuritë e ndryshme detare e nëndetare.
-
Studimet, vrojtimet, shërbimet, përgjithësimet dhe monitorimet e thelluara shkencore për gjeologjinë dhe metalogjeninë.
-
Përgjithësime, vrojtime, monitorime e dokumentime të gjithë punimeve inxhinierike që kanë të bëjnë me gërmimin e tokës.
-
Punimet topografike të shkallëve të ndryshme dhe matjet gjeodezike.
-
Krijimi i bazës së të dhënave gjeologjike, të mineraleve të dobishme, gjeologo-inxhinierike, hidrogjeologjike, gjeo-mjedisore etj,; vënia në dispozicion e këtyre të dhënave organeve të pushtetit qendror e lokal dhe subjekteve të tjera të interesuara; përgatitja, publikimi dhe komercializimi i informacionit gjeologjik, bazuar në aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
-
Promovimi i perspektivës së mineraleve të dobishme.
-
Monitorimi dhe vlerësimi i lejeve të kërkim-zbulimit.
-
Kryerja e shërbimeve të ndryshme për të tretët.
-
Kryerja e studimeve për emergjencat civile, gjeologjike, gjeologo-inxhinierike e hidrogjeologjike.
-
Kryerja e oponencave për të gjitha llojet e studimeve në fushën e gjeoshkencave.
Janë disa fusha (nën/programe), të zbërthyera në projekt/programe të veçanta, sipas të cilave Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ushtron veprimtarinë e tij. Puna e tij ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e vendit. Për informacion të mëtejshëm mbi këto veprimtari
kliko këtu