PROGRAMI ZHVILLIMOR I SHËRBIMIT GJEOLOGJIK SHQIPTAR PËR VITIN 2024

Objektivi kryesor

Angazhimi i ShGjSh-së në shërbime të rëndësishme për ekonominë kombëtare në zbatim të Programit të Qeverisë për vitet 2021 - 2025, Ligjit Nr.111/2015, datë 15.10.2015 “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, Ligjit nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me Ligjin nr. 134/2014, datë 09.10.2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, Ligjit nr.10431, datë 09.06.2011 “Për mbrojtjen e Mjedisit”, Ligjit nr. 111/2012 dt. 15.11.2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, VKM nr.1189 dt. 18.11.2009 “Për Rregullat dhe Procedurat për Hartimin dhe Zbatimin e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit”, Ligjit Nr.107/2014 datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, VKM nr.408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, Ligjit nr.8756, datë 26.03.2001 “Për Emergjencat Civile” të ndryshuar me Ligjin nr.10137, datë 11.5.2009 “Për disa ndryshime në legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.531, datë 01.08.2003 “Për Organizimin, Funksionimin, Detyrat dhe Përgjegjësitë e Shërbimit të Emergjencave Civile”.

Programi i Qeverisë për vitet 2021-2025 synon:

  • Mbylljen përfundimtare të epokës së informalitetit në zhvillimin e hapësirave urbane e rurale dhe krijimin e një mjedisi institucional, ekonomik e social për zhvillimin të qëndrueshëm të territorit;
  • Zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të gjeologjisë dhe minierave, duke e shndërruar këtë sektor në një industri me kushte e standarde bashkëkohore;
  • Ndërtimin e profilit të ekonomisë shqiptare, në dy dekadat e ardhëshme, nëpërmjet sektorëve prioritarë duke mobilizuar e përdorur me efiçencë i gjeoburimet si prej sektorit publik ashtu dhe pre atij privat, në funksion të rritjes së prodhimit të brendshëm dhe shtimit të eksporteve;
  • Hartimin e një strategjie afatgjatë dhe efikase për sektorin e hidrokarbureve, duke e vëne nën një monitorim të plotë, për të patur një zhvillim të qëndrueshëm, garantuar interesat publike, e forcuar kapacitetet shkencore dhe teknike, në funksion të zhvillimit të këtij sektoro sot dhe në të ardhmen;
  • Vazhdimin e investimeve të integruara në rrjetin ndërlidhës vendor, kombëtar e rajonal të transporteve, si “Rruga e Arbërit”, etj., mirëmbajtjen e rrjetit rrugor, investimin në infrastrukturën portuale, modernizimin rrënjësor të sistemit hekurudhor. Krijimin brënda vitit 2018, të landfilleve për të gjithë mbetjet e ngurta në zonën bregdetare të vendit. Çlirimin e mjedisit të çliruara nga mbetjet e ngurta. Trajtimin dhe planifikimin territorial të tyre nëpërmjet përcaktimit të pikave kryesore të këtë trajtim;.
  • Hartimin e politikave dhe strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit;.
  • Vlerësimin e veprimtarisë kërkimore - shkencore në vend, zhvillimin dhe përsosjen e vazhdueshme të legjislacionit për shkencën, drejt modeleve bashkëkohore të organizimit, bashkëpunimit, nëpërmjet aplikimit në projekte, kombëtare e ndërkombëtare, me synim final integrimin në Hapësirën e Kërkimit Shkencor Evropian;

Qëllimi themelor

Shndërrimi në vijimësi i ShGjSh- së, në qendër të shërbimit për qytetarët, për të zgjidhur probleme korente dhe të prespektivës, të sjell rekomandime konkrete në ndihmë të vendim-marrjes, në zbatim të programit të Qeverisë, me synimin për të rritur më tej rolin e tij, si institucion këshillmor, teknik e shkencor i Shtetit.

Realizimi dhe përmbushja

Ndarja dhe organizimi në fusha kryesore zhvillimore, të strukturuara në projekte për të qenë sa më efiçentë në zgjidhjen nga ana jonë të problematikave të sotme dhe të së ardhmes.Veprimtaria e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (Sh.Gj.Sh.) për vitin 2019, do të synojëvënien në jetë të Programit të Qeverisë, për periudhën 2021 - 2025, në përputhje të plotë me Ligjin Nr.111/2015, datë 15.10.2015 “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, si dhe me aktet ligjore dhe nënligjore që përcaktojnë aktivitetin e tij. Në zbatim të: - Rregullores “Për Funksionimin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (ShGjSh)”, miratuar me Urdhër nr. 88, datë 22/02/2016 të ish/Ministrit të Energjisë dhe Industrisë (sot Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë); - Rregullores “Për Funksionimin e Këshillit Teknik Shkencor”, miratuar me Urdhër nr. 87, datë 22/02/2016 të ish/Ministrit të Energjisë dhe Industrisë (sot Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë); - Rregullores “Për Proçedurat e Përgatitjes, Paraqitjes, Shqyrtimit, Miratimit, Kontrollit të Zbatimit dhe Vlerësimit të Projekt - Programeve Vjetore të Financuara nga Buxheti i Shtetit”, miratuar me Vendim të Këshillit Teknik Shkencor nr. 5, datë 31/03/2016; Si dhe, bazuar edhe në mendimet e ardhura nga Drejtoritë aplikative, Këshilli Teknik Shkencor i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (Sh.Gj.Sh-së), miratoi këto drejtime prioritare zhvillimore sipas fushave, për vitin 2022:

Fusha I: Fusha e Gjeologjisë Bazë

Studime komplekse për mirë- administrimin e territorit në shkallë vendi (“Gjeologjia – Gjeoresurset – Gjeorreziqet dhe Mjedisi”).

  1. Qeveria hartoi “Planin Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të zonave të mbrojtura (ZM), Parqeve Kombëtare (PK), Rezervateve Natyrore Strikt, për të mbrojtur ekosistemet e tyre, por edhe për t’i integruar ato në një plan afatgjatë me projektet infrastrukturore dhe turistike”. Qeveria synon të mbyllë përfundimisht epokën e informalitetit në zhvillimin e hapësirave urbane e rurale, si dhe të krijojë një mjedis institucional, ekonomik e social, për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.
  2. Mjedisi është jo vetëm pasuri e shumëllojshme ekosistemesh, por edhe një burim ekonomie që duhet përdorur me kujdes e strategjikisht dhe kemi detyrimin institucional, social dhe moral, që të mirë menaxhojmë dhe mbrojmë këtë pasuri kombëtare në interes të qytetarëve dhe të brezave që vijnë. Zhvillimi i turizimit, si pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm me potencial të madh rritjeje, që gjeneron zhvillim ekonomik dhe garanton punësim. Programi për Turizmin Kulturoro - Historik, që fokusohet në zonat e mbrojtura dhe monumentet e kulturës; Programi për Eko – Turizëm, që ndërtohet mbi burimet natyrore, etj.
  3. Garantimi i një mjedisi të shëndetshëm për qytetarët, ruajtja nga ndotjet dhe dëmtimi, si pasojë e aktivitetit njerëzor dhe veprimtarive ekonomike, janë vlerë e shtuar dhe pasuri për gjenerim aktivitetesh ekonomike dhe veçanërisht turistike.
  4. Trajtimi i mbetjeve si lëndë të para, në përputhje me konceptin e sistemeve të ekonomive qarkulluese, do të jetë në shërbim të përdorimit me kriter dhe ruajtjes së burimeve të tyre.
Puna që do të kryhet:

Punime hartografuese në shkallë të ndryshme për studime gjeologjike, administrimin e territorit, mjedisit, të cilat janë të nevojshme për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit, planifikimin urban, zhvillimin e turizmit, etj. Kjo e shprehur në saktësime dhe plotësime të hartave gjeologjike dhe shumëqëllimore, në shkallë 1:25 000, të territorit të Republikës së Shqipërisë. Angazhimi për plotësime të Hartës Gjeologjike të Shqipërisë në shkallë 1:200 000, sidomos në nyjet problemore gjeologjike. Vrojtimi, monitorimi dhe përgjithësimi i të dhënave gjeologjike që merren nga kryerja e punimeve minerare për ndërtimin e veprave inxhinierike (tuneleve për H/C-e, punimet minerare kapitale, etj). Studime gjeomjedisore, si një faktor i rëndësishëm në formulimin e politikave dhe vendim-marrjes, në ndihmë të zhvillimit të turizmit.

Rezultatet e pritshme:

Baza hartografike komplekse, edhe në formate dixhitale, sipas kërkesave të sotme që mundësojnë vendimmarrje, të mbështetura në studime shkencore dhe në përvojën e fituar. Do të prodhohet informacion gjeoshkencor kompleks, do të jepen rekomandime konkrete për vendimmarrje, do të sensibilizohet dhe informohet publiku për gjendjen reale të gjeomjedisit dhe masat që duhen marrë për rehabilitimin dhe administrimin e tij. Për çdo punim minerar apo vepër inxhinierike që ndërtohet dhe ka të bëjë me gërmimin në tokë, do të ketë një dokumentacion të plotë gjeologjik si në projektim, ashtu edhe në zbatim, i cili do të depozitohet në arkivin e Sh.Gj.Sh-së, pas interpretimit të të dhënave.

Përfitues të Programit:

MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale të planifikimit të territorit. Subjekte publike e private.

Fusha II: Fusha e Vendburimeve Minerale

(Rivlerësimi i perspektivës së pasurive minerale dhe energjitike të vendit, vënia e tyre në efiçencë për ekonominë).
  1. Qeveria do të mbështesë edhe më tej zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në industrinë minerare, duke synuar rritjen e eksporteve të produkteve të përpunuara metalore e jometalore. Përveç rritjes së punësimit dhe mirëqenies për banorët e zonave mineralmbajtëse, ky zhvillim do t’i japë një hov ekonomisë kombëtare në tërësi dhe do të përmirësojë bilancin tregtar të vendit. Qeveria synon zhvillimin e mëtejshëm të Sektorit të Gjeologjisë dhe Minierave, duke e shndërruar këtë sektor, në një industri me kushte e standarde bashkëkohore.
  2. Angazhimi i Qeverisë për shtimin e investimeve private në kërkim-prodhimin e mineralit të kromit dhe atë të bakrit, si dhe nxitja e ringjallja e industrisë së hekur-nikelit, duke kaluar nga fazat e zbulimit, drejt asaj të shfrytëzimit. Ndërmarrja e masave ligjore dhe strukturore, për të mundësuar rritjen e shkallës së pasurimit dhe përpunimit të mineraleve në vend.
  3. Krijimi i fabrikave dhe impianteve të reja të pasurimit dhe përpunimit, do të synojnë ciklin e mbyllur në mineralet e kromit dhe bakrit. Do të vazhdojë monitorimi i rreptë i zbatimit të rregullave teknike në miniera dhe zhvillimin e industrisë në harmoni me mjedisin për kërkimin e zbulimin e mineraleve.
    Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është institucion këshillimor e teknik i shtetit në fushën e shkencave të tokës, në zbatim të Programit të Qeverisë për zhvillimin industrial, turizmin, energjitikën, shfrytëzimin e burimeve natyrore, sipas rajoneve të ndryshme të vendit. Ai bën monitorimin e veprimtarisë minerare të lejeve të kërkim-zbulimit, konform Ligjit Minerar Nr. 10304 datë 15/07/2010, të ndryshuar, me synim garantimin e interesit publik në këtë sektor, me qëllim zbulimin e rezervave të reja dhe vënien në efiçencë të pasurive tona minerale, si dhe në zbatim të akteve ligjore e n/ligjore, do të veprojë ndaj atyre subjekteve që dëmtojnë mjedisin, keqmenaxhojnë resurset minerale, sipas kompetencave që i japin këto akte.
Puna që do të kryhet:

Vlerësimi e rivlerësimi gjeologo-ekonomik i mineraleve kryesore (krom, bakër, hekur-nikel, nikel-silikat, etj), të cilat janë më të kërkuarat nga tregu dhe paraqesin interes për shfrytëzim, si nga biznesi vendas, ashtu dhe nga biznesi i huaj. Vlerësimi e rivlerësimi i mineraleve të tokave të rralla dhe me perparesi vleresimi i Litiumit, në territorin e Republikës se Shqipërisë. Konfigurimi e percaktimi I shesheve te reja perspektiveper kerkim-zbulim nepermjet dokumentimit te punimeve te kryera nga subjekte apo individe per shfrytezim mineralesh. Studimi dhe leresimi I agregateve shkembore ne funksion te zevendesimit te inerteve lumore. Nxitja dhe promovimi i inisiativave për kërkim-zbulimin e mineraleve në gjithë territorin e vendit, nëpërmjet realizimit dhe plotësimit të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Ligji Minerar i Shqipërisë Nr. 10304, datë 15/07/2010, i ndryshuar, si dhe nga aktet nënligjore në zbatim të tij.

Rezultatet e pritshme:

Studime e projekte, që tërheqin investitorët vendas dhe të huaj, që ofrojnë mundësi të reja zhvillimi ekonomik dhe punësimi, në zonat urbane e rurale të vendit.

Përfitues të Programit:

MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, AKBN), Prefekturat, Qarqet e Bashkitë e vendit, subjekte private dhe publike, organizma studimore, brenda dhe jashtë vendit.

Fusha III: Fusha e Hidrogjeologjisë

Vlerësimi, menaxhimi dhe monitorimi i ujërave nëntokësore në basenet kryesore ujëmbajtëse, të resurseve ujore, si dhe të shtretërve të lumenjëve të Shqipërisë.
Zhvillimi i modelit të rritjes ekonomike për 15 - 20 vitet në vazhdim. Ndërtimi i “profilit” të ekonomisë shqiptare, në dy dekadat e ardhëshme, nëpërmjet sektorëve prioritarë. Mobilizimi dhe përdorimi me efiçencë i gjeoburimeve nga sektori publik e privat, në funksion të rritjes së prodhimit të brendshëm, zhvillimit të turizmit dhe shtimit të eksporteve.

  1. Furnizim 24 orë me ujë të pijshëm i çdo qendre të banuar të vendit. Brenda viteve 2021-2025, përfundimi i të gjithë ujësjellësave në ndërtim e sipër, në zonat turistike bregdetare dhe fillimi i ndërtimit të ujësjellësave të mëdhenj për zonat bregdetare.
  2. Menaxhimi efektiv i baseneve kryesore ujore, në mënyrë të veçantë për basenin e Drin-Bunës, Semanit, Vjosës, etj. Infrastruktura bujqësore, ujitja, kullimi, mbrojtja e tokës nga erozioni, përfundimi i Kadastrës së ujit, legalizimi i puseve të shpimit për ujë të kryera pa leje, etj.
  3. Mbrojtja e mjedisit, ujit dhe ajrit, do të harmonizohet me mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore ujore. Parandalimi dhe kufizimi i erozionit, është i lidhur direkt me përmirësimin e kushteve të mjedisit, që në plan afatgjatë ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës.
Puna që do të kryhet:

Monitorimi dhe rivlerësimi sasior e cilësor i rezervave të ujërave nëntokësore (me përparësi vlerësimin dhe rivlerësimin e ujërave nëntokësore për furnizimin me ujë të pijshëm), gjendja dhe shfrytëzimi i tyre në basenet kryesore të vendit. Përpilimi i hartave hidrogjeologjike në shkallë 1:25 000, për plotësimin e të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe ndërtimi i databazës me shpime dhe burime sipas planshetave, mundësitë për rritjen e rezervave të shfytëzueshme të ujit. Studimi dhe monitorimi i dinamikës së lumenjve (qëndrueshmëria e shtretërve dhe anëve të lumenjve, erozioni i brigjeve, sedimentim-akumulimi, vlerësimi i impaktit mjedisor), masat parandaluese dhe rehabilituese për mënjanimin e dëmeve nga aktiviteti natyror apo ai i shfrytëzimit pa kriter të shtretërve të lumenjve. Studime për përcaktimin e zonave të mbrojtjes higjeno-sanitare për kaptazhet që përdoren për furnizim me ujë të pijshëm. Studime dhe projektime hidrogjeologjike sipas kërkesave nga të tretët, kryerja e oponencave në fushën e hidrogjeologjisë, etj. Studime hidrogjeologjike referuar fatkeqësive natyrore.

Rezultatet e pritshme:

Studimet paraqesin bilancin e rezervave të sotme ujore, cilësinë, ndotjet eventuale, parashtrojnë mundësi të reja për furnizimin me ujë të zonave turistike, urbane e rurale, sjellin rekomandime për shfrytëzimin racional të rezervave ujore, ofrojnë alternativa për furnizimin me ujë të pijshëm, pasqyrojnë gjendjen aktuale të treguesve mjedisorë, hidrogjeologjikë, etj.

Përfitues të Programit:

MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), organizma qendrore dhe lokale, të cilat mbulojnë furnizimin me ujë të pijshëm të popullsisë, subjekte private dhe publike, etj.

Fusha IV: Fusha e Hidrokarbureve

(Studimi dhe rivlerësimi i pasurive natyrore të lëndëve energjitike dhe vënia e tyre në shërbim të ekonomisë).
  1. Qeveria synon hartimin e një strategjie afatgjatë dhe efikase për sektorin e hidrokarbureve, duke e vënë në një monitorim të plotë, për të patur një zhvillim të qëndrueshëm, për të garantuar interesat publike, për të forcuar kapacitetet shkencore dhe teknike, në funksion të zhvillimit të sektorit hidrokarbur sot dhe në perspektivë.
Puna që do të kryhet:

Rivlerësime dhe përgjithësime të resurseve hidrokarbure me synim zgjerimin e perspektivës së shfrytëzimit të tyre. Vlresimi dhe rivleresimi i vendburimeve te fushes se naftes dhe gazit sipas territoreve te caktuara me qellim rekomandimin e shesheve perspektive per kerkim dhe shfrytezim, ne toke dhe det. Plotësimi i bazës së të dhënave për të gjitha vendburimet hidrokarbure të vendit. Përditësimi i të dhënave të fituara nga veprimtaria e kërkim-zbulimit për hidrokarbure, të kompanive publike e private, vendase e të huaja. Përcaktimi i zonave të përshtatëshme për stokimin e gazit.

Rezultatet e pritshme:

Zgjerimi i perspektivës së kërkimit dhe zbulimit të strukturave karbonatike dhe ranorike, naftë – gazmbajtëse. Afrimi dhe prezantimi i fushave të naftës dhe gazit në ekonominë e tregut, sipas territoreve të caktuara.

Përfitues të Programit:

MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale. Qarqet, Bashkitë, subjektet private e publike.

Fusha V: Fusha e Gjeologjisë Inxhinierike, Gjeofizikës dhe Gjeodezisë

(Vlerësimi i rreziqeve gjeologjike, si dhe gjeologo - inxhinierike e gjeofizike, i digave të rezervuarëve ujëmbajtës të Shqipërisë, studime gjeologo - inxhinierike për vlerësimin e qëndrueshmërisë së truallit dhe infrastrukturës publike në shkallë vendi).
  1. Planifikimi dhe zhvillimi i territorit. Qeveria synon të mbyllë përfundimisht epokën e informalitetit në zhvillimin e territorit, të hapësirave urbane e rurale, si dhe të krijojë nje mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të tij. Vazhdimi i investimeve të integruara në rrjetin ndërlidhës kombëtar, rajonal e vendor të transporteve, si Rruga e Arbërit, Kardhiq - Delvinë, Bypass-i i Vlores, Tuneli i Llogarase, etj, mirëmbajtja e këtij rrjeti rrugor, investimet që po kryhen në infrastrukturën portuale, modernizimi rrënjësor i sistemit hekurudhor, ndërtimi i landfilleve për të gjitha mbetjet urbane e të ngurta në qytetet kryesore të vendit, etj.
  2. Harmonizim i operatorëve privatë me interesat publike. Rritja e fondeve publike për mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Puna që do të kryhet:

Vlerësimi e monitorimi i fenomeneve gjeodinamike të digave të rezervuarëve ujëmbajtës, nëpërmjet metodave gjeologo – inxhinierike dhe gjeofizike. Përpilimi i hartave gjeologo – inxhinierike sipas planshetave në shkallë 1:25 000, për plotësimin e të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë. Planifikimi afatgjatë dhe më i sigurtë i infrastrukturës të ambienteve social-industriale, veprave madhore si porte, aeroporte, tunele, diga, etj, nëpërmjet ndërtimit të hartave tematike gjeologo-inxhinierike Studime te detajuara per zonat urbane, si rajonizimi gjeologo-inxhinerik I qyteteve dhe zonave me perparesi zhvillimi. Përditësimi i databazës së rrëshqitjeve në të gjithë territorin e vendit. Studimi dhe vlerësimi i fenomeneve gjeodinamike me impakt social, në kuadrin e emergjencave civile, kryerjen e oponencave për të tretë, etj.

Rezultatet e pritshme:

Studime me rekomandime konkrete për digat e rezervuarëve të ndërtuar për bujqësinë, zhvillimet infrastrukturore, masat që duhen marrë për jetëgjatësinë e modernizimin e saj, për të gjithë vendin, etj.

Përfitues të Programit:

MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), organizma studimorë të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale të planifikimit të territorit, subjekte private e publike.

Fusha VI: Fusha e Gjeologjisë Detare

( Studime dhe monitorime gjeologo - mjedisore për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare e detare të Shqipërisë.)
  1. Hartimi i politikave dhe i strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe hapësirës detare të vendit tonë.
Puna që do të kryhet:

Studime dhe monitorime të hapësirës bregdetare e detare të Shqipërisë, për menaxhimin e integruar të tyre. Monitorimi i vijës bregdetare dhe shkallës së erozion-akumulimit. Studim i deltave të lumenjve, dinamikës së zhvillimit të tyre, marrëdhënieve reciproke me dinamikën e shtratit të lumit, ndikimin e zhvillimit të deltës lumore në ekosistemet e lagunave apo shelfit detar. Përgjithësimi i veçorive tektonike të bazamentit të shelfit detar. Studime dhe vrojtime te litologjise se substratit dhe pasurive te ndryshme detare, nendetare dhe bregdetare, me qellim nderttimin e hartave gjeologjike te shkalles 1:25 000 dhe databazave perkatese shoqeruese.Krijimi i databazës kombëtare për studimet dhe të dhënat detare.

Rezultatet e pritshme:

Studime që zgjidhin probleme që janë evidentuar nga menaxhimi jo i mirë i territorit të hapësirës bregdetare dhe resurset ujore submarine, lëndët hidrokarbure që përmban shelfi kontinental i detit Adriatik e Jon.

Përfitues të Programit:

Organet e pushtetit vendor, Agjencia e Bregdetit, MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), organizma qendrore dhe lokale të planifikimit dhe administrimit të territorit, subjektet e kërkimit të hidrokarbureve të vendit dhe të huaja.

Fusha VII: Fusha e Gjeoinformatizimit

(Zhvillimi i mëtejshëm i sistemit të informacionit banka e të dhënave, transmetimi i informacionit).
  1. Rritje cilësore e burimeve njerëzore, profesionalizmit, motivimit, përgjegjshmërisë (kualifikim, rinovim i tyre). Përdorim në rritje i teknologjisë së informacionit, informim mbi produktet e strukturave qendrore, lokale, grupet e interesit dhe publikut.
  2. Teknologjia e Informacionit në shërbim të qeverisjes. Përdorim masiv i teknologjisë së informacionit nga të gjithë institucionet shtetërore të të gjithë degëve dhe niveleve, kombinuar me investime masive të sistemit të informacionit, bazuar në rregulloret në fuqi.
Puna që do të kryhet:

Informatizimi i dokumentacionit gjeologjik të krijuar në vite, gjendje në arkivin e SHGJSH-së, si dhe informatizimi i të gjitha produkteve, që realizohen në vazhdimësi nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, etj. Ndërtimi i bazës së të dhënave të shpimeve dhe burimeve ujore të Shqipërisë. Përpunimi i mëtejshëm dhe informatizimi standart i të dhënave bazë, për të mundësuar transmetimin e shpejtë të informacionit drejt organeve vendim-marrëse. Azhurnimi i sistemit GIS me hartat shumëqëllimore të shkallës 1:25 000 dhe atyre të shkallës 1:50 000. Azhurnimi i databazës të dixhitalizimit të Arkivit Qendror Teknik të  SHGJSH-së. Bashkëpunimi me ASIG për temat “Gjeologjia dhe Mineralet”.

Rezultatet e pritshme:

Do të prodhohen dhe do të plotësohen hartat shumëqëllimore me gjeoinformacionin përkatës dixhital, modelime të ndryshme, etj. Njëkohësisht do të vazhdojë puna për plotësimin e bazave të ndryshme të të dhënave. Përpunimi informatik i të dhënave, i cili bazohet në sistemin e informacionit GIS.

Përfitues të Programit:

MIE ( SHGJSH, AKBN), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale të planifikimit të territorit, Entet publike dhe private të vendit, subjekte private, të vendit dhe të huaja, të shfrytëzimit të minierave dhe gjeoresurseve në përgjithësi.

Fusha VIII: Fusha e studimeve emergjente dhe e marrëdhënieve të SHGJSH me jashtë institucionit

(Studime për nevoja emergjente, sipas kërkesave të Pushtetit Qëndror e Lokal. Kualifikim, specializim, projekte me financim nga institucione brenda e jashtë vendit dhe Publikime).
  1. Forcim i koordinimit dhe ndërveprimit, brenda dhe ndërinstitucional, në zbatimin e detyrave dhe kryerjen e shërbimeve.
  2. Qeveria synon vlerësimin e veprimtarisë kërkimore - shkencore në vend, zhvillimin dhe përsosjen e vazhdueshme të legjislacionit për shkencën, drejt modeleve bashkëkohore të organizimit, bashkëpunimit, nëpërmjet aplikimit në projekte, kombëtare e ndërkombëtare, me synim final integrimin në Hapësirën e Kërkimit Shkencor Europian.
  3. Programimi dhe ndjekja e gjithe aktivitetit per kremtimin e 100 vjetorit te Sherbimit Gjerologjik Shqiptar.
Puna që do të kryhet:

Vlerësimi dhe monitorimi i fenomeneve gjeodinamike sipas kërkesave të Pushtetit Qendror e Lokal. Përditësimi i rregjistrit kombëtar lidhur me Emergjencat Civile. Dhënia e ekspertizave në fushën e Hidrogjeologjisë, Gjeologjisë Inxhinierike, etj. Botime e publikime të ndryshme (Buletini i Shkencave Gjeologjike, harta tematike, etj.) dhe përditësimi në vazhdimësi i faqes së Internetit të SHGJSH-së. Aplikimi në projekte kombëtare e ndërkombëtare (të financuara nga partnerë brenda dhe jashtë vendit), shkëmbimi i eksperiencave të ndërsjella, me synimin final integrimin në Hapësirën e Kërkimit Shkencor Evropian. Kualifikimi, specializimi pasuniversitar (master shkencor, doktoratura, etj.), pjesëmarrja në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Koordinimi dhe ndjekja e angazhimit të SHGJSH-së në marrëdhëniet me institucionet analoge, brenda e jashtë vendit, etj.

Rezultatet e pritshme:

Projekte e studime që zgjidhin probleme imediate të emergjencës. Ngritja e nivelit shkencor të stafit të SHGJSH-së dhe angazhimeve të tij në marrëdhëniet me institucionet analoge. Buletini i Shkencave Gjeologjike, harta tematike, etj. Përditësimi i faqes së Internetit.

Publikime:

Buletini i Shkencave Gjeologjike. Riorganizim dhe azhurnim i faqes zyrtare të SHGJSH-së.

Përfitues të Programit:

MIE (Sh.Gj.Sh), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale të planifikimit dhe administrimit të territorit. Ministria e Mbrojtjes (Drejtoria e Emergjencave), Prefektura, Qarqe,  Bashki. Subjekte publike e private.

Fusha IX: Fusha e vlerësimeve analitike

(Vlerësimi cilësorë i ujërave, mineraleve dhe shkëmbinjve. Standartizimi i laboratorit për analizat kimike të mineraleve dhe informatizimi i të dhënave hidrokimike të ujërave nëntokësore në vite).
  1. Një përkujdesje e veçantë do t’i kushtohet ujërave nëntokësore, lumenjve, liqeneve dhe burimeve të tjera ujore, veçanërisht atyre që janë tepër të dëmtuar, nga aktiviteti i paligjshëm ose ndotja mikrobiologjike dhe kimike.
Puna që do të kryhet:

Analizimi i ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore për projektet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe për të tretët. Përpunimi dhe analizimi i mostrave të mineraleve, shkëmbinjve dhe sedimenteve me metodat analitike dhe AAS (Absorbim Atomik - Spektrometri) për projektet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe për të tretët. Përditësimi i të dhënave të fituara gjatë procesit të analizimit, në analizat kimike të ujërave dhe analizat kimike të mineraleve, ndërtimi i databazës përkatëse. Menaxhimi i sistemit të cilësisë së Laboratorit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe ndërtimi i dokumentacionit sipas Standartit ISO/IEC 17025:2017 dhe të standarteve të tjerë ndërkombëtare dhe kombëtare.

Rezultatet e pritshme:

Vlerësimi i cilësisë dhe përcaktimi i tipit të ujërave, krahasimi dhe klasifikimi i tyre. Përcaktimi i origjinës së ujërave nëntokësore, ndryshueshmërisë të elementëve të ndryshëm, në kohë dhe hapësirë. Vlerësimi i cilësisë së mineraleve, si për provat që sjellin subjektet private, ashtu dhe ato që merren nga grupet studimore në kuadër të projekteve që realizon SHGJSH- ja. Ruajtja dhe forcimi i sistemit të cilësisë së laboratorit.

Përfitues të Programit:

MIE (Sh.Gj.Sh.), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale. Qarqe, Bashki. Subjekte publike e private.