PROGRAMI ZHVILLIMOR I SHËRBIMIT GJEOLOGJIK SHQIPTAR PËR VITIN 2026

Objektivi kryesor

Angazhimi i ShGjSh-së në shërbime të rëndësishme për ekonominë kombëtare në zbatim të Programit të Qeverisë për vitet 2025- 2029, Ligjit Nr.111/2015, datë 15.10.2015 “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, Ligjit nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me Ligjin nr. 134/2014, datë 09.10.2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, Ligjit nr.10431, datë 09.06.2011 “Për mbrojtjen e Mjedisit”, Ligjit nr. 111/2012 dt. 15.11.2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, VKM nr.1189 dt. 18.11.2009 “Për Rregullat dhe Procedurat për Hartimin dhe Zbatimin e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit”, Ligjit Nr.107/2014 datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, VKM nr.408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, Ligjit nr.8756, datë 26.03.2001 “Për Emergjencat Civile” të ndryshuar me Ligjin nr.10137, datë 11.5.2009 “Për disa ndryshime në legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.531, datë 01.08.2003 “Për Organizimin, Funksionimin, Detyrat dhe Përgjegjësitë e Shërbimit të Emergjencave Civile”.

Programi i Qeverisë për vitet 2025-2029 synon:

  • Mbylljen përfundimtare të epokës së informalitetit në zhvillimin e hapësirave urbane e rurale dhe krijimin e një mjedisi institucional, ekonomik e social për zhvillimin të qëndrueshëm të territorit;
  • Zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të gjeologjisë dhe minierave, duke e shndërruar këtë sektor në një industri me kushte e standarde bashkëkohore;
  • Ndërtimin e profilit të ekonomisë shqiptare, në dy dekadat e ardhëshme, nëpërmjet sektorëve prioritarë duke mobilizuar e përdorur me efiçencë i gjeoburimet si prej sektorit publik ashtu dhe pre atij privat, në funksion të rritjes së prodhimit të brendshëm dhe shtimit të eksporteve;
  • Hartimin e një strategjie afatgjatë dhe efikase për sektorin e hidrokarbureve, duke e vëne nën një monitorim të plotë, për të patur një zhvillim të qëndrueshëm, garantuar interesat publike, e forcuar kapacitetet shkencore dhe teknike, në funksion të zhvillimit të këtij sektoro sot dhe në të ardhmen;
  • Vazhdimin e investimeve të integruara në rrjetin ndërlidhës vendor, kombëtar e rajonal të transporteve, si “Rruga e Arbërit”, etj., mirëmbajtjen e rrjetit rrugor, investimin në infrastrukturën portuale, modernizimin rrënjësor të sistemit hekurudhor. Krijimin brënda vitit 2018, të landfilleve për të gjithë mbetjet e ngurta në zonën bregdetare të vendit. Çlirimin e mjedisit të çliruara nga mbetjet e ngurta. Trajtimin dhe planifikimin territorial të tyre nëpërmjet përcaktimit të pikave kryesore të këtë trajtim;.
  • Hartimin e politikave dhe strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit;.
  • Vlerësimin e veprimtarisë kërkimore - shkencore në vend, zhvillimin dhe përsosjen e vazhdueshme të legjislacionit për shkencën, drejt modeleve bashkëkohore të organizimit, bashkëpunimit, nëpërmjet aplikimit në projekte, kombëtare e ndërkombëtare, me synim final integrimin në Hapësirën e Kërkimit Shkencor Evropian;

Qëllimi themelor

Shndërrimi në vijimësi i ShGjSh- së, në qendër të shërbimit për qytetarët, për të zgjidhur probleme korente dhe të prespektivës, të sjell rekomandime konkrete në ndihmë të vendim-marrjes, në zbatim të programit të Qeverisë, me synimin për të rritur më tej rolin e tij, si institucion këshillmor, teknik e shkencor i Shtetit.

Realizimi dhe përmbushja

Ndarja dhe organizimi në fusha kryesore zhvillimore, të strukturuara në projekte për të qenë sa më efiçentë në zgjidhjen nga ana jonë të problematikave të sotme dhe të së ardhmes.Veprimtaria e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (Sh.Gj.Sh.) për vitin 2026, do të synojëvënien në jetë të Programit të Qeverisë, për periudhën 2025 - 2029, në përputhje të plotë me Ligjin Nr.111/2015, datë 15.10.2015 “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, si dhe me aktet ligjore dhe nënligjore që përcaktojnë aktivitetin e tij. Në zbatim të: - Rregullores “Për Funksionimin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (ShGjSh)”, miratuar me Urdhër nr. 88, datë 22/02/2016 të ish/Ministrit të Energjisë dhe Industrisë (sot Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë); - Rregullores “Për Funksionimin e Këshillit Teknik Shkencor”, miratuar me Urdhër nr. 87, datë 22/02/2016 të ish/Ministrit të Energjisë dhe Industrisë (sot Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë); - Rregullores “Për Proçedurat e Përgatitjes, Paraqitjes, Shqyrtimit, Miratimit, Kontrollit të Zbatimit dhe Vlerësimit të Projekt - Programeve Vjetore të Financuara nga Buxheti i Shtetit”, miratuar me Vendim të Këshillit Teknik Shkencor nr. 5, datë 31/03/2016; Si dhe, bazuar edhe në mendimet e ardhura nga Drejtoritë aplikative, Këshilli Teknik Shkencor i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (Sh.Gj.Sh-së), miratoi këto drejtime prioritare zhvillimore sipas fushave, për vitin 2025:

Fusha I: Fusha e Gjeologjisë Bazë

Studime komplekse për mirë- administrimin e territorit në shkallë vendi (“Gjeologjia – Gjeoresurset – Gjeorreziqet dhe Mjedisi”).

  1. Zhvillimi i qëndrueshëm në mbrojtjen e mjedisit dhe adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike, përmes forcimit të sistemeve të mbrojtjes, rritjes së sipërfaqeve të gjelbra dhe integrimit të plotë me politikat e gjelbra të BE-së. Hartimi dhe zbatimi i politikave sektoriale në zhvillimin e qëndrueshëm, tranzicioni drejt ekonomisë qarkulluese dhe garantim të një mjedisi të shëndetshëm për qytetarët, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Europiane dhe Agjendën 2030 të BE-së.
  2. Konsolidimi i vendit si një destinacion turistik i nivelit të lartë, me turizëm gjithëvjetor, të qëndrueshëm dhe konkurrues në tregun evropian dhe global. Rikualifikimi i destinacioneve historike e kulturore, duke i kthyer në motor ekonomik për turizmin kulturor.Kushtet gjeomjedisore për ekosisteme të përshtatshme me një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit me potencial të madh rritjeje, që gjeneron zhvillim ekonomik dhe garanton punësim.
Puna që do të kryhet:

Hartografime komplekse gjeologjike, regjionale dhe lokale në shkallë e për qëllime të ndryshme për të gjithë vendin dhe zhvillimin e qëndrueshëm e të harmonizuar të territorit. Studime të Gjeologjisë Bazë për Hartën Gjeologjike të Republikës së Shqipërisë shk.1:200000, duke përfshirë metoda të reja studimore dhe bazë analitike bashkëkohore për gjeologjinë, metalogjeninë, tektonikën, në bashkëpunim me institucione prestigjioze brenda dhe jashtë vendit. Studime gjeomjedisore (monitorim i gjeomjedisit, ndotjeve gjeokimike në mjedise urbane dhe industriale, zonime gjeomjedisore), si një faktor i rëndësishëm në formulimin e praktikave dhe vendimmarrjes. Plotësimi i hartave shumëqëllimore (komponenti Gjeologji) për gjithë serinë e hartave gjeologjike në shkallë 1: 25000 të territorit të Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me AQTGJ, bazuar në rezultatet e veprimtarisë shkencore aplikative të kryer me parë duke i përmirësuar ato në përmbajtje dhe cilësi. Vrojtimi, monitorimi, përgjithësimi dhe pasurimi i fondit të gjeologjisë nëpërmjet të dhënave që merren nga kryerja e punimeve gjeologjike për vepra inxhinierike dhe të kërkim zbulimit të kryera nga të tretë ose me financim publik (të tuneleve te hidrocentraleve, punimeve minerare kapitale, rrugëve kombëtare, etj.)


Rezultatet e pritshme:

Baza hartografike komplekse, edhe në formate dixhitale, sipas kërkesave të sotme që mundësojnë vendimmarrje, të mbështetura në studime shkencore dhe në përvojën e fituar. Do të prodhohet informacion gjeoshkencor kompleks, do të jepen rekomandime konkrete për vendimmarrje, do të sensibilizohet dhe informohet publiku për gjendjen reale të gjeomjedisit dhe masat që duhen marrë për rehabilitimin dhe administrimin e tij. Për çdo vepër inxhinierike apo punim minerar kapital, nëpërmjet dokumentimit gjeologjik të gjurmës së veprës, do të sigurohet informacion i plotë gjeologjik, i cili do të depozitohet në Arkivin Qendror Teknik të SHGJSH-së dhe do t'i shërbejë në të ardhmen projekteve me rendësi kombëtare.

Përfitues të Programit:

MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale të planifikimit të territorit. Subjekte publike e private.

Fusha II: Fusha e Vendburimeve Minerale

(Rivlerësimi i perspektivës së pasurive minerale dhe energjitike të vendit, vënia e tyre në efiçencë për ekonominë).
  1. Ndërtimi i një ekonomie dinamike dhe konkurruese, ku bizneset shqiptare të përmbushin standardet e Bashkimit Europian, të kenë akses të drejtë në financim dhe të jenë në gjendje të konkurrojnë denjësisht në tregun e përbashkët evropian. Nxitje e investimeve me rregulla të qarta e të harmonizuara, me procedura të thjeshta dhe transparencë për investitorët vendas e të huaj. Të zbatojmë Strategjinë Kombëtare Industriale për transformimin ekonomik të Shqipërisë, duke vendosur bazat për një ekonomi më konkurruese dhe moderne e duke orientuar politikat dhe fondet drejt sektorëve që gjenerojnë vlerë të shtuar.
  2. Zbatimi i Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), për të orientuar fondet kombëtare dhe ato të BE-së drejt fushave me avantazh konkurrues, duke mundësuar rritje të qëndrueshme, më shumë projekte inovative dhe integrim të plotë me tregjet evropiane.
Puna që do të kryhet:

Nxitja e promovimi i iniciativave për kërkim-zbulimin e mineraleve në gjithë territorin e vendit, nëpërmjet realizimit e plotësimit të të gjithë detyrimeve që rrjedhin nga Ligji minerar Nr. 10304, datë 15.07.2010, i ndryshuar, si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Vlerësimi e rivlerësimi gjeologo-ekonomik i mineraleve kryesorë (krom, bakër, hekur-nikel, nikel-silikat, mineralet e tokave te rralla, mineralet e lëndëve të para kritike (CRM) sipas prioriteteve të CRM-Act, mineraleve të çmuar, etj.), të cilët janë më të kërkuar nga tregu dhe paraqesin interes për shfrytëzim si nga biznesi vendas, ashtu dhe nga biznesi i huaj. Konfigurimi dhe përcaktimi i shesheve te reja perspektive për kërkim-zbulim. Ndërtimi, saktësimi dhe plotësimi i hartave shumëqëllimore të Shqipërisë (komponenti Minerale të Dobishme) sipas plansheteve në shkallë 1:25000. Monitorimi i veprimtarisë minerare të lejeve të kërkim-zbulimit për të garantuar interesin publik në këtë sektor, me qëllim zbulimin e rezervave të reja dhe vënien në efiçencë të pasurive tona minerale.

Rezultatet e pritshme:

Kryerja e studimeve përgjithësuese mbi gjendjen dhe perspektivën e pasurive minerare, vlerësimin e rivlerësimin e rezervave të mineraleve metalorë, lëndëve të para kritike (CRM), jometalorë, mineraleve ndërtimorë, të lëndëve djegëse të ngurta, dhe projekteve që tërheqin investitorët vendas e të huaj, që ofrojnë mundësi të reja zhvillimi ekonomik dhe punësimi në zonat urbane e rurale të vendit.

Përfitues të Programit:

MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore - AKBN), prefekturat, qarqet e bashkitë e vendit, subjekte publike e private, organizma studimore brenda e jashtë vendit.

Fusha III: Fusha e Hidrogjeologjisë

Administrim i burimet ujore, garantimi i cilësisë së tyre, mbrojtje dhe qëndrueshmëri afatgjatë.
Menaxhimi dhe përdorimi me efiçencë i gjeoburimeve nga sektori publik e privat, në funksion të rritjes së prodhimit të brendshëm, zhvillimit të turizmit, përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.

  1. Mbrojtja e mjedisit dhe përballja ndaj ndryshimeve klimatike si pjesë qendrore e politikave zhvillimore të Shqipërisë. Mbrojtja e mjedisit, ujit dhe ajrit, do të harmonizohet me mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore ujore.
  2. Përmirësimi i menaxhimit të integruar të burimeve ujore duke shtuar kapacitetet e monitorimit në të gjitha basenet. Përmirësimi i sistemit të të dhënave mjedisore nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja.
Puna që do të kryhet:

Monitorimi dhe rivlerësimi sasior e cilësor i rezervave të ujërave nëntokësore (me përparësi vlerësimin dhe rivlerësimin e ujërave nëntokësore për furnizimin me ujë të pijshëm), gjendja dhe shfrytëzimi i tyre në basenet kryesore të vendit. Përpilimi i hartave hidrogjeologjike në shkallë 1:25 000, për plotësimin e të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe përmirësimin e teksteve te planshetave te qarqeve kryesore. Studimi dhe monitorimi i dinamikës së lumenjve (qëndrueshmëria e shtretërve dhe anëve të lumenjve, erozioni i brigjeve, sedimentim-akumulimi, vlerësimi i impaktit mjedisor), masat parandaluese dhe rehabilituese për mënjanimin e dëmeve nga aktiviteti natyror apo ai i shfrytëzimit pa kriter të shtretërve të lumenjve. Identifikimi dhe konturimi i trupave ujore ne akuiferët e Shqipërisë. Studime për përcaktimin e zonave të mbrojtjes higjieno-sanitare për kaptazhet që përdoren për furnizim me ujë të pijshëm. Studime dhe projektime hidrogjeologjike sipas kërkesave nga të tretët, kryerja e oponencave në fushën e hidrogjeologjisë, etj.

Rezultatet e pritshme:

Studimet që paraqesin ndryshimet në resurset e shfrytëzimit të rezervave të sotme ujore, cilësinë, ndotjet eventuale, parashtrojnë mundësi të reja për furnizimin me ujë të zonave turistike, urbane e rurale, sjellin rekomandime për shfrytëzimin racional të rezervave ujore, ofrojnë alternativa për furnizimin me ujë të pijshëm, pasqyrojnë gjendjen aktuale të treguesve mjedisorë, hidrogjeologjikë, etj.

Përfitues të Programit:

MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), organizma qendrore dhe lokale, të cilat mbulojnë furnizimin me ujë të pijshëm të popullsisë, subjekte private dhe publike, etj.

Fusha IV: Fusha e Hidrokarbureve

(Studimi dhe rivlerësimi i pasurive natyrore të lëndëve energjitike dhe vënia e tyre në shërbim të ekonomisë).
  1. Energjia e së ardhmes e sigurt dhe e përballueshme. Kthimi i potencialit energjetik të Shqipërisë në avantazh kombëtar: për një industri konkurruese dhe për një vend që bëhet pjesë aktive e tregut evropian. Hartimi i një strategjie afatgjatë dhe efikase për sektorin e hidrokarbureve, duke e vënë në një monitorim të plotë, për të patur një zhvillim të qëndrueshëm, për të garantuar interesat publike, për të forcuar kapacitetet shkencore te vendit.
Puna që do të kryhet:

Rivlerësime dhe përgjithësime të resurseve hidrokarbure me synim zgjerimin e perspektivës së shfrytëzimit të tyre, si dhe studime gjeologo-ekonomike që ndikojnë në futjen në qarkullim të lëndëve të para energjetike e tërheqjen e investitorëve vendas dhe te huaj. Vlerësimi dhe rivlerësimi i vendburimeve te fushës se naftës dhe gazit sipas territoreve te caktuara me qellim rekomandimin e shesheve perspektive për kërkim dhe shfrytëzim, në tokë dhe det. Studime mbi gjeoenergjinë për vendburimet e gazit dhe naftës në qarqet Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër.

Rezultatet e pritshme:

Zgjerimi i perspektivës së kërkimit dhe zbulimit të strukturave karbonatike dhe ranorike, naftë – gazmbajtëse. Afrimi dhe prezantimi i fushave të naftës dhe gazit në ekonominë e tregut, sipas territoreve të caktuara.

Përfitues të Programit:

MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale, qarqet, bashkitë, subjektet private e publike.

Fusha V: Fusha e Gjeologjisë Inxhinierike, Gjeofizikës dhe Gjeodezisë

(Vlerësimi i rreziqeve gjeologjike, si dhe gjeologo - inxhinierike e gjeofizike, i digave të rezervuarëve ujëmbajtës të Shqipërisë, studime gjeologo - inxhinierike për vlerësimin e qëndrueshmërisë së truallit dhe infrastrukturës publike në shkallë vendi).
  1. Modernizimi i plotë i infrastrukturës rrugore, hekurudhore, portuale, aeroportuale dhe digjitale deri në vitin 2030, duke e shndërruar Shqipërinë në nyje kyçe të Ballkanit Perëndimor dhe pjesë të pandashme të rrjeteve transevropiane të transportit si hap vendimtar drejt integrimit evropian.Qeveria synon përmirësimin e efikasitetit në sektorin e transportit, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës; të krijojë një mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të tij; përmirësimin e infrastrukturës rrugore, vazhdimi i investimeve të integruara në rrjetin ndërlidhës kombëtar, rajonal e vendor të transporteve, mirëmbajtja e këtij rrjeti rrugor, investimet që po kryhen në infrastrukturën portuale, modernizimi i sistemit hekurudhor, trajtimi i mbetjeve urbane e të ngurta në qytetet kryesore të vendit, etj.
Puna që do të kryhet:

Studime te detajuara për zonat urbane, si rajonizimi gjeologo-inxhinierik i qyteteve dhe zonave me përparësi zhvillimi. Planifikimi afatgjatë dhe më i sigurt i infrastrukturës të ambienteve social-industriale, veprave madhore si porte, aeroporte, tunele, diga, etj, nëpërmjet ndërtimit të hartave tematike gjeologo-inxhinierike. Vlerësimi e monitorimi i fenomeneve gjeodinamike të digave të rezervuarëve ujëmbledhës, nëpërmjet metodave gjeologo – inxhinierike dhe gjeofizike. Studime të thelluara në vendndodhjen e digave të rezervuarve ujëmbledhës problematike. Përpilimi i hartave gjeologo – inxhinierike sipas planshetave në shkallë 1:25000, për plotësimin e të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë. Monitorimi i rrëshqitjeve dhe përditësimi i databazës së rrëshqitjeve në të gjithë territorin e vendit. Studimi dhe vlerësimi i fenomeneve gjeodinamike me impakt social, në kuadrin e emergjencave civile. Kryerjen e oponencave në fushën e gjeologjisë inxhinierike dhe gjeofizike për të tretë, etj.

Rezultatet e pritshme:

Zhvillimet infrastrukturore, masat që duhen marrë për jetëgjatësinë e modernizimin e saj për të gjithë vendin. Studime me rekomandime konkrete për digat e rezervuarëve të ndërtuar për bujqësinë, etj.

Përfitues të Programit:

MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale te planifikimit te territorit, subjekte private dhe publike

Fusha VI: Fusha e Gjeologjisë Detare

( Studime dhe monitorime gjeologo - mjedisore për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare e detare të Shqipërisë.)
  1. Zhvillim i qëndrueshëm në mbrojtjen e mjedisit dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike. Forcimi i kontrollit të territorit dhe zbatimi i standardeve të BE mbi përgjegjësitë mjedisore nëpërmjet ndërtimit te një sistemi te digjitalizuar të të dhënave. Përmirësimi i menaxhimit të integruar dhe shtimi i kapaciteteve monitoruese në të gjithë hapësirën detare dhe bregdetare.
  2. Hartimi i politikave dhe i strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe hapësirës detare të vendit tonë.
Puna që do të kryhet:

Studimi dhe monitorim i hapësirës bregdetare e detare të Shqipërisë, për menaxhimin e integruar të tyre. Monitorimi i vijës bregdetare, ritmeve të erozion/akumulimit si dhe i gjendjes së lagunave bregdetare në të gjithë veçoritë e ekosistemeve. Evidentimi periodik i gjendjes në shkallën 1:50000. Monitorimi e vlerësimi i impaktit të shkaktuar në mjedis nga ndërtimet mbrojtëse përgjatë bregdetit shqiptar dhe përgatitja e databases me të dhënat përkatëse. Monitorimi i gjendjes së deltave të lumenjve të Shqipërisë që derdhen përgjatë hapësirës bregdetare. Krijimi i databases kombëtare për studimet dhe të dhënat detare.

Rezultatet e pritshme:

Studime që zgjidhin probleme që janë evidentuar nga menaxhimi jo i mirë i territorit të hapësirës bregdetare dhe resurset ujore submarine dhe propozimi i ndërhyrjeve përmirësuese.

Përfitues të Programit:

Organet e pushtetit vendor, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, MIE (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar), Ministria e Mjedisit (Agjencia Kombëtare e Mjedisit – AKM, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore – AMBU)organizma qendrore dhe lokale të planifikimit dhe administrimit të territorit, subjektet e kërkimit të hidrokarbureve të vendit dhe të huaja.

Fusha VII: Fusha e Gjeoinformatizimit

(Zhvillimi i mëtejshëm i sistemit të informacionit banka e të dhënave, transmetimi i informacionit).
  1. Teknologjia një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe modernizimit të shtetit.Infrastruktura e avancuar teknologjike dhe platformat e të dhënave të hapura. Ofrimi i shërbimeve proaktive ku shteti shkon te qytetari.
Puna që do të kryhet:

Informatizimi i dokumentacionit gjeologjik të krijuar në vite, gjendje në arkivin e SHGJSH-së, si dhe informatizimi i të gjitha produkteve, që do të realizohen për gjeologjinë, burimet minerale, gjeologjinë inxhinierike, hidrogjeologjinë, gjeomjedisin, emergjencat civile, realizimin e kërkesave për të tretët, etj. Përpunimi i mëtejshëm dhe informatizimi standard i të dhënave bazë, për të mundësuar transmetimin e shpejtë të informacionit drejt organeve vendimmarrëse. Azhurnimi i sistemit GIS me hartat shumëqëllimore të shkallës 1:25 000 dhe atyre të shkallës 1:50 000. Bashkëpunimi me ASIG për temat “Gjeologjia”, “Mineralet” dhe “Hidrogjeologjia”.

Rezultatet e pritshme:

Do të prodhohen dhe do të plotësohen hartat shumëqëllimore me gjeoinformacionin përkatës dixhital, etj. Njëkohësisht do të vazhdojë puna për plotësimin e bazave të ndryshme të të dhënave. Përpunimi informatik i të dhënave, i cili bazohet në sistemin e informacionit GIS.

Përfitues të Programit:

MIE ( SHGJSH, AKBN), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale të planifikimit të territorit, Entet publike dhe private të vendit, subjekte private, të vendit dhe të huaja, të shfrytëzimit të minierave dhe gjeoresurseve në përgjithësi.

Fusha VIII: Fusha e studimeve emergjente dhe e marrëdhënieve të SHGJSH me jashtë institucionit

(Studime për nevoja emergjente, sipas kërkesave të Pushtetit Qëndror e Lokal. Kualifikim, specializim, projekte me financim nga institucione brenda e jashtë vendit dhe Publikime).
  1. Forcim i koordinimit dhe ndërveprimit, brenda dhe ndërinstitucional, në zbatimin e detyrave dhe kryerjen e shërbimeve sipas standardeve të kërkuara.
  2. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Çlirimi i potencialit të plotë zhvillimor me të njëjtat standarde dhe akses të gjerë në politikat e instrumentet e BE-së. Rritja e pranisë së Shqipërisë në institucionet e BE-së, si anëtarë ose vëzhgues, duke integruar ekspertët tanë në strukturat vendimmarrëse evropiane.Nxitje e mbështetjes financiare për programe doktorale për kërkuesit e rinj dhe nxitje e bashkëpunimit akademi-biznes, me synim që sistemi i kërkimit shkencor në Shqipëri të përthithë fonde të krahasueshme me vendet e BE.
Puna që do të kryhet:

Vlerësimi dhe monitorimi i fenomeneve gjeodinamike sipas kërkesave të Pushtetit Qendror e Vendor. Përditësimi i regjistrit kombëtar lidhur me Emergjencat Civile. Dhënia e ekspertizave në fushën e Hidrogjeologjisë, Gjeologjisë Inxhinierike, etj. Ofrimi i shërbimeve për te tretet nëpërmjet platformës e-Albania. Botime e publikime të ndryshme (Buletini i Shkencave Gjeologjike, harta tematike, etj.) dhe përditësimi në vazhdimësi i faqes së internetit të SHGJSH-së. Aplikimi në projekte kombëtare e ndërkombëtare (të financuara nga partnerë brenda dhe jashtë vendit), shkëmbimi i eksperiencave të ndërsjella, me synimin final integrimin në Hapësirën e Kërkimit Shkencor Evropian. Kualifikimi, specializimi pasuniversitar (master shkencor, doktoratura, etj.), pjesëmarrja në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Koordinimi dhe ndjekja e angazhimit të SHGJSH-së në marrëdhëniet me institucionet analoge, brenda e jashtë vendit, etj.

Rezultatet e pritshme:

Projekte e studime që zgjidhin probleme imediate të emergjencës dhe shërbime për te tretët. Ngritja e nivelit shkencor të stafit të SHGJSH-së dhe angazhimeve të tij në marrëdhëniet me institucionet analoge. Buletini i Shkencave Gjeologjike, harta tematike, etj. Përditësimi i faqes së Internetit.

Përfitues të Programit:

MIE (SHGJSH), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe lokale të planifikimit dhe administrimit të territorit. Ministria e Mbrojtjes (Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile), prefektura, qarqe, bashki, subjekte publike e private.

Fusha IX: Fusha e vlerësimeve analitike

(Vlerësimi cilësorë i ujërave, mineraleve dhe shkëmbinjve. Standartizimi i laboratorit për analizat kimike të mineraleve dhe informatizimi i të dhënave hidrokimike të ujërave nëntokësore në vite).
  1. Një përkujdesje e veçantë do t’i kushtohet ujërave nëntokësore, lumenjve, liqeneve dhe burimeve të tjera ujore, veçanërisht atyre që janë tepër të dëmtuar, nga aktiviteti i paligjshëm ose ndotja mikrobiologjike dhe kimike.
Puna që do të kryhet:

Analizimi i ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore për projektet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe për të tretët. Përpunimi dhe analizimi i mostrave të mineraleve, shkëmbinjve dhe sedimenteve me metodat analitike klasike, ICP-OES (plazma me induktivitet) dhe AAS (Absorbim Atomik - Spektrometri) për projektet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe për të tretët. Përditësimi i të dhënave të fituara gjatë procesit të analizimit, në analizat kimike të ujërave dhe analizat kimike të mineraleve, ndërtimi i databazës përkatëse. Menaxhimi i sistemit të cilësisë së Laboratorit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe ndërtimi i dokumentacionit sipas Standardit ISO/IEC 17025:2017 dhe të standardeve të tjerë ndërkombëtare dhe kombëtare. Njohja e Laboratorit ne nivel ndërkombëtar për analizat kimike te ujërave, sedimenteve, xeherorëve dhe matricave te ndryshme nëpërmjet testeve te zotësisë (PT).

Rezultatet e pritshme:

Vlerësimi i cilësisë dhe përcaktimi i tipit të ujërave, krahasimi dhe klasifikimi i tyre. Përcaktimi i origjinës së ujërave nëntokësore, ndryshueshmërisë të elementëve të ndryshëm, në kohë dhe hapësirë. Vlerësimi i cilësisë së mineraleve, si për provat që sjellin subjektet private, ashtu dhe ato që merren nga grupet studimore në kuadër të projekteve që realizon SHGJSH- ja. Ruajtja dhe forcimi i sistemit të cilësisë së laboratorit.

Përfitues të Programit:

MIE (SHGJSH), organizma studimore të gjeologjisë, organizma qendrore dhe vendore, qarqe, bashki, subjekte publike e private.