Janë disa fusha (nën/programe), të zbërthyera në projekt/programe të veçanta, sipas të cilave Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ushtron veprimtarinë e tij. Puna e tij ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e vendit.
Fusha e Gjeologjisë Bazë (Studime komplekse për mirë-administrimin e territorit në shkallë vendi “Gjeologjia - Gjeoresurset - Gjeorreziqet dhe Mjedisi”).
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kryen:
Fusha e Vendburimeve Minerale. Lëndët e para janë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Që në ditën e parë të krijimit në vitin 1922, detyra e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar ishte ajo e evidentimit dhe efiçencës së burimeve natyrore të nëntokës shqiptare. Në institucionin tonë janë inkuadruar specialistë me mjaft përvojë në fushën e kërkim-zbulimit dhe si rrjedhoje çdo minierë e vendit tonë ka qenë rezultat i punës së tyre. Ne mund të ofrojmë konsulencë mjaft cilësore në çdo drejtim për zgjerimin e perspektivës së vendburimeve të mineraleve metalore, naftës e gazit, materialeve të ndërtimit, lëndëve të para etj. Në kuadër të kësaj fushe për vitin 2020, po punohet për realizimin e 5 projekteve, në këto drejtime:
Fusha e Hidrogjeologjisë. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kryen studime për vlerësimin, menaxhimin dhe monitorimin e ujërave nëntokësore në basenet kryesore ujëmbajtëse të vendit, si dhe monitorimin e qëndrueshmërisë së shtratit, të rrjetit lumor të Shqipërisë dhe erozionin e brigjeve të tyre, me qëllim propozimin e masave parandaluese e rehabilituese për mënjanimin e dëmeve. Po ndërtohen dhe përditësohen hartat hidrogjeologjike në shkallë 1:25 000 sipas planshetave. Studimet që po realizohen ne kuadrin e kësaj fushe, do të paraqesin bilancin e rezervave të sotme ujore, cilësinë, ndotjet eventuale, me qëllim të parashtrojnë mundësi të reja për furnizimin me ujë të zonave turistike, urbane e rurale, të sjellin rekomandime konkrete për shfrytëzimin racional të rezervave ujore, duke pasqyruar dhe gjendjen aktuale të treguesve mjedisorë e hidrogjeologjikë. Një bashkëpunim korrekt i qeverisjes qendrore dhe asaj lokale me institucionin tonë, është thelbësor në zgjidhjen e kërkesës për ujë.
Fusha e Gjeologjisë Inxhinierike, Gjeofizikës dhe Gjeodezisë.Punimet në këtë fushë kanë të bëjnë me vlerësimin e rreziqeve gjeologjike si dhe studimet gjeologo -inxhinierike për vlerësimin e qëndrueshmërisë së truallit dhe infrastrukturës publike në shkallë vendi.
Fusha e Gjeologjisë Civile. Studimet që kryhen në fushë janë një pikë mjaft e rëndësishme në programin e veprimtarisë së Sherbimit Gjeologjik Shqiptar. Zhvillimi i infrastrukturës, kërkesa për ndërtime të reja si nga individët ashtu edhe nga biznesi, shtrojnë para së gjithash nevojën e sigurisë për jetëgjatësinë e tyre dhe një ndër faktorët më themelorë është qëndrueshmëria e truallit. Të gjitha problemet që po evidentohen sot në shembjen e banesave, pikësëpari kanë ndodhur si rezultat i neglizhimit të mendimit gjeologjik në pjesën më të madhe të rasteve, apo të injorimit të projektit gjeologjik në raste të tjera. Në këtë kuptim, roli i SH.GJ.SH-së është ai i një institucioni të sigurisë kombëtare. Marrja parasysh e rolit të SH.GJ.SH-së, ka të bëjë drejtpërdrejt me sigurinë e investimit dhe të jetës njerëzore. Në këtë kuadër, vëzhgimet, monitorimet dhe studimet tona janë shtrirë në të gjithë territorin, që nga majat e larta e deri në vijën bregore dhe janë realizuar për një periudhë të pandërprerë shumëvjeçare dhe vijojnë të realizohen në të njëjtën mënyrë. Çdo fenomen që përbën rrezik rrëshqitjeje, subsidence, erozion lumor e detar është paraqitur në harta të shkallëve të ndryshme. Një ndihmesë të madhe për studimin e këtyre fenomeneve të gjeorrezikut natyror dhe për studimin e shtresave ujëmbajtëse, kanë dhënë edhe studimi me metodat gjeofizike etj.Tashmë, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar disponon serinë e hartave gjeologo-inxhinierike, ndjeshmërisë ndaj rrëshqitjeve dhe rrëshqitjeve, nga shk. 1:200 000 deri në shk. 1:25 000, së bashku me tekstet shoqëruese të tyre, në rang vendi, qarku, bashkie dhe sipas planshetave.
Fusha e Hidrokarbureve. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka në objektin e veprimtarisë së tij edhe kryerjen e vlerësimeve komplekse në fushën e hidrokarbureve, kryerjen e studimeve dhe rivlerësimin e pasurive natyrore të lëndëve energjitike dhe vënia e tyre në shërbim të ekonomisë, me qellim tërheqjen e investitorëve. Studimet në këtë fushë, kanë gjithashtu për qëllim zgjerimin e perspektivës së kërkimit dhe zbulimit të strukturave karbonatike dhe ranorike naftëgazmbajtëse, afrimin dhe prezantimin e fushave të naftës dhe gazit në ekonomin e tregut, sipas territoreve të caktuara.
Fusha e Gjeologjisë Detare. Shërbimit Gjeologjik Shqiptar në veprimtarinë e tij përfshin edhe kryerjen studimeve për shelfin kontinental te deteve Adriatik e Jon, deltat e lumenjve, akumulimin dhe erozionin, qëndrueshmërinë e hapësirës bregdetare, ndotjet, etj, me qëllim hartimin nga organet vendimmarrëse të politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të hapësirës detare e bregdetare Shqiptare. Në këtë kuadër, po punohet për studimin e zonimit gjenetik të hapësirës bregdetare shqiptare dhe monitorimin e vijës bregore në shk. 1:50 000, si mbështetje për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare, për studimin e përbërjes litologjike, ndryshimet batimetrike dhe morfologjinë e substratit të detit si dhe për marrjen e të dhënave për pasuritë natyrore në zonën detare dhe pranbregdetare. Gjithashtu po punohet në kuadër të projekteve të ndërmarra në këtë fushë edhe për korrelimin e të dhënave studimore dhe punimeve gjeologjike të realizuara në stere dhe në det, për evidentimin e strukturave naftëgazmbajtëse, nga subjekte brenda e jashtë vendit. Studimet që po kryhen dhe ato që do të realizohen në vazhdimësi, do të zgjidhin problemet që janë evidentuar nga menaxhimi jo i mirë i territorit të hapësirës bregdetare, resurseve ujore dhe lëndëve hidrokarbure që përmban shelfi kontinental i detit Adriatik e Jon.
Fusha e Gjeoinformatizimit. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar po punon për informatizimin e të gjithë dokumentacionit gjeologjik të krijuar në vite, gjendje në arkivin e SH.GJ.SH-së; si dhe informatizimin e gjithë produkteve, që realizohen për gjeologjinë, lëndët e para minerale, gjeologjinë inxhinierike, hidrogjeologjinë, gjeomjedisin, gjeologjinë detare, studimet për hidrokarburet dhe informatizimin e të dhënave bazë. Kjo shpejton shfrytëzimin e rezultateve si dhe mundëson transmetimin e shpejtë të informacionit drejt organeve vendimmarrëse. Përpunimi i të dhënave kryhet nëpërmjet platformës GIS (Sistemi I Informacionit Gjeografik) si dhe me programin AutoCAD. Së fundmi ka filluar puna edhe për modelimin 3D të vendburimit të kromit Shkallë-Maja e Drenit.
Fusha e Studimeve Emergjente. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është i ngarkuar me ligj dhe akte nënligjore të kryej studime e vlerësime gjeologo-inxhinierike (rrëshqitje të truallit, shembje, përmbytje etj.) e hidrogjeologjike për nevoja emergjente, sipas kërkesave të pushtetit qendror e lokal, duke zgjidhur problematikat aktuale. SH.GJ.SH. ndjek e monitoron gjithashtu punimet që kryhen në veprat inxhinierike (tunelet qe hapen si vepra marrëse në ndërtimin e HEC-ve, rrugëve nacionale etj) dhe punimet minerare kapitale të lejeve të kërkim-zbulimit e të shfrytëzimit, me qëllim marrjen, përgjithësimin dhe integrimin e këtyre të dhënave dhe arkivimin si të tilla.
Fusha e Vlerësimeve Analitike. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kryen edhe vlerësime cilësore të ujërave, mineraleve dhe shkëmbinjve. Laboratori Kimik i SH.GJ.SH-së është akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimeve për të kryer Analiza Laboratorike në përputhje me S SH ISO 17025:2006 më datë 01.09.2014.
Një përkujdesje e veçantë i është kushtuar ujërave nëntokësore, lumenjve, liqeneve dhe burimeve të tjera ujore, veçanërisht atyre që janë tepër të dëmtuar nga aktiviteti jashtëligjor ose ndotja mikrobiologjike dhe kimike.
Publikime dhe Sensibilizim. Buletini i Shkencave Gjeologjike, Revista Informuese Periodike e SH.GJ.SH-së. Riorganizim dhe përditësim i faqes së Internetit, program sensibilizues “Gjeologjia dhe Shoqëria”. E gjithë puna jonë është përmbledhur në një arkivë kolosale e cila mban materiale me shtrije të gjerë në hapësirë e kohë. Harta të shkallëve e qëllimeve të ndryshme janë realizuar për të gjithë territorin e vendit. Një pikë e rëndësishme ka qenë për kualifikimin e vazhdueshëm të specialistëve, i cili është realizuar si nëpërmjet shkëmbimit të përvojës brenda institucionit, ashtu edhe nëpërmjet kualifikimeve në institucione shkencore universitare brenda e jashtë vendit. E gjithë kjo po shoqërohet me përmirësimin e teknologjisë së mbledhjes, përpunimit e analizimit të të dhënave. Cilësia e punës sonë ka bërë që në Prill të vitit 2007, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar të fitojë statusin e anëtarit të EuroGeoSurveys, organizatës së bashkimit të Shërbimeve Gjeologjike Europiane. Dhe në Janar të vitit 2015 Shërbimi Gjeologjik Shqiptar pranohet si anëtar me të drejta të plota në Shërbimin Gjeologjik Europian.