TAKIM I DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË SHGJSH-SË
ME GRUPIN E EKSPERTËVE TË EuroGeoSurveys DHE GSEU

Talin, Estoni, 10-11 Prill 2024

Takim me Grupin e Ekspertëve për lëndët e para

Në datat 10-11 prill, Adrian Bylyku, Drejtori i Përgjithshëm i SHGJSH, ishte i pranishëm në takimin e ekspertëve në kuadër të projektit #GSEU që u zhvillua në Talin, Estoni. Mineralet kritike dhe strategjike, plani kombëtar i kërkim-zbulimit dhe qendrat ndërkombëtare të ekselencës ICE ishin kryefjala e diskutimeve të ekspertëve gjatë këtij takimi. Përfaqësues i Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) prezantoi “Pozicioni i UNECE në mbështetje të aktit të BE-së për CRM” , ku vend kryesor zë mbështetja e vendeve anëtare për ngritjen e kapaciteve përfshirë dhe mbështetjen për trajnimin e kërkuar për zbatimin e Klasifikimit të Kornizës së Kombeve Bashkuar për lëndët e para (UNFC).

Një nga objektivat kryesore të projektit GSEU është krijimi i Qendrës Ndërkombëtare të Ekselencës për Menaxhimin e Qëndrueshëm të Burimeve (EU ICE SRM) dhe zbatimin e Klasifikimit të Kornizës së Kombeve Bashkuar për lëndët e para (UNFC).

Janë zhvilluar paralelisht tre sesione sipas temave të përgatitura nga drejtuesit e projektit dhe të paketën 2 të punës (WP2), përkatësisht: sesioni për lëndët e para kritike në tokë; sesioni për lëndët e para kritike në det; sesioni për zbatimin e Klasifikimit Kornizë të Kombeve të Bashkuara për lëndët e para (UNFC).

Gjithashtu u prezantua “Harta e re e mineraleve kritike në Evrope dhe si lidhet me produktet e tjera”, të cilët kanë bazën e të dhënave evropiane për mineralet nga projektet e mëparshme të zbatuara, informacion, që gjenerohet nga platforma EGDI (Infrastruktura Evropiane për të Dhënat Gjeologjike).