Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Universiteti Robert Gordon drejt projekteve të përbashkëta

27 korrik 2026

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe Universitetit Robert Gordon, Aberdeen, më 27 korrik 2026 u zhvillua një takim pune dhe shkëmbim shkencor me Prof. Gbenga Oluyemi, i cili u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, z. Adrian Bylyku. Në takim mori pjesë edhe znj. Ledi Moisiu, përfaqësuese e EIT Albania Regional Innovation Center.

Gjatë takimit u prezantua veprimtaria e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, duke përfshirë studimet në gjeologjinë detare dhe bregdetare, vlerësimin e burimeve minerare, hidrogjeologjinë, si dhe procesin e digjitalizimit të informacionit gjeoshkencor.




Diskutimet u fokusuan në mundësitë për projekte të përbashkëta kërkimore, përdorimin e metodologjive moderne të modelimit gjeologjik dhe trajtimin e pasigurive në modelet gjeologjike. Gjithashtu, u prezantua roli i EIT Albania Regional Innovation Center në mbështetjen e inovacionit, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, universiteteve dhe industrisë.





Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe Universitetit Robert Gordon, Aberdeen, si dhe duke krijuar mundësi për iniciativa të reja në fushën e gjeoshkencave.