Java e Energjisë së Qëndrueshme ishte e përqendruar në ndërtimin e sistemeve të qëndrueshme të energjisë për një tranzicion të drejtë energjetik në rajonin e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE).
Ky aktivitet bashkoi një komunitet të gjerë ekspertësh, politikëbërësish dhe aktorësh të tjerë, të cilët bashkëpunuan për të hartuar rrugën drejt zhvillimit të sistemeve të rezistueshme dhe të qëndrueshme të energjisë.
Në këtë event morën pjesë edhe përfaqësues të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, të kryesuar nga z. Adrian Bylyku, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe Zëvendëskryetar i Grupit të Ekspertëve për Energjinë e Rinovueshme.
Gjatë takimeve të forumit, përfaqësuesit e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar morën ftesë për të marrë pjesë në takimin e ardhshëm për menaxhimin e qëndrueshëm të lëndëve të para kritike (UNFC për CRM), që do të mbahet më 28-30 tetor në Shkup, Maqedonia e Veriut.
Kjo është pjesë e iniciativave të vazhdueshme të UNECE për menaxhimin e burimeve natyrore të qëndrueshme.
Sesionet përfshinë diskutime, shkëmbim përvojash dhe prezantimin e rasteve studimore konkrete, duke ofruar rekomandime dhe drejtim për politikat përkatëse për rajonin e UNECE dhe nxitjen e tranzicionit të drejtë energjetik.