Shërbimi Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH), në kuadër të projektit “Vlerësimi i mineraleve dhe lëndëve të para kritike në Shqipëri”, vijon punimet studimore për identifikimin dhe vlerësimin e potencialit mineral të vendit, me fokus të veçantë te lëndët e para kritike (CRM).
Gjatë vitit 2026, punimet janë përqendruar në qarqet Tiranë, Elbasan dhe Berat, ku janë studiuar vendburime, objekte dhe shfaqje të mineralizuara të boksiteve, bakrit, nikelit, magnezitit, manganit, si dhe formacione gjeologjike me potencial për galium, germanium, vanadium, elemente të tokave të rralla dhe metale të grupit të platinit.
Në kuadër të këtyre studimeve janë realizuar punime në terren, dokumentim gjeologjik dhe marrja e 60 provave për analiza kimike, rezultatet e të cilave do të përfshihen në raportin vjetor të projektit për vitin 2026.
Në përfundim të kësaj faze parashikohet përgatitja e hartave të mineraleve dhe lëndëve të para kritike në shkallë 1:50 000 për qarqet e studiuara, si dhe identifikimi i zonave me perspektivë për kërkim-zbulim dhe studime gjeologjike më të detajuara.
Projekti kontribuon në zgjerimin e njohurive mbi pasuritë minerare të Shqipërisë dhe krijimin e një baze të dhënash shkencore e hartografike, në mbështetje të planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit minerar. Ai është në përputhje me prioritetet evropiane për sigurimin e lëndëve të para kritike dhe strategjike, të përcaktuara në Rregulloren (BE) 2024/1252.