VERIFIKIM NË TERREN MBI NDIKIMIN E MARRJES SË ZHAVORRIT NË LUMIN MAT

Më datë e enjte, 11 korrik 2025, një ekip teknik i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Adrian Bylyku, realizoi një inspektim përgjatë shtratit të lumit Mat, me qëllim verifikimin e pikave të marrjes së zhavorrit dhe vlerësimin e ndikimeve të kësaj veprimtarie në aspektin gjeoinxhinierik dhe hidrogjeologjik Gjatë inspektimit u kryen ndalesa pranë urës së Zogut dhe urës së Rubikut, ku u analizuan nga afër shenjat e gërryerjes së shtratit lumor si pasojë e marrjes së inerteve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit mbi stabilitetin e strukturave infrastrukturore dhe ujërave nëntokësore, të cilat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj çdo ndërhyrjeje në shtratin e lumit.





Nga pikëpamja hidrogjeologjike, u evidentua se marrja e pakontrolluar e zhavorrit mund të prishë ekuilibrin natyror të rrjedhjeve nëntokësore, të ulë nivelin statik të ujërave dhe të cënojë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e akuiferëve, të cilët përbëjnë një burim të rëndësishëm furnizimi për komunitetet përreth.
Këto ndërhyrje përbëjnë rrezik potencial për burimet ujore nëntokësore, sidomos në zona me lidhje të ngushtë hidraulike ndërmjet lumit dhe akuiferit.





Ky verifikim është pjesë e angazhimit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar për të garantuar një shfrytëzim të qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke vënë në fokus mbrojtjen e infrastrukturës kritike, ruajtjen e burimeve ujore.
📍 Lumi Mat – Verifikim në terren
🌉 U analizuan nga afër ura e Zogut dhe ura e Rubikut, ku u evidentuan shenja të gërryerjes së shtratit lumor dhe rreziqe për stabilitetin e infrastrukturës dhe ujërave nëntokësore.
💧 Marrja e pakontrolluar e zhavorrit rrezikon akuiferët, cilësinë e ujit dhe ekuilibrin natyror të rrjedhjeve nëntokësore.
✅ Shërbimi Gjeologjik Shqiptar mbetet i angazhuar për një shfrytëzim të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.