Projekti "Monitorimi gjeologjik në rrjedhen e mesme dhe të poshtme të lumenjve Drini i Zi dhe Seman, propozimi i masave për mënjanimin e pasojave", është vijimësi e projekteve të mëparshme të kryera në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar.
Qëllimi kryesor monitorimin e shtretërve të lumenjve të Shqipërisë, ecurinë e ndryshimeve morfologjike që ndodhin në ta.
Lumenjtë e marrë në studim gjatë vitit 2024, Drini i Zi dhe Seman, janë lumenj të prekur në pjesën më të madhe nga presionet e jashme që vijnë nga aktiviteti i shoqërisë sonë dhe për rrjedhojë, nga përshpejtimi i proceseve natyrore të rrymës ujore.
Paraqitja e rezultateve të këtij monitorimi me anë të grafikëve përfaqësues të punës së kryer nga Sektori i Monitorimit Gjeologjik të Lumenjve gjatë vitit 2024.
Gjithashtu në anën e majtë kemi paraqitjen e grafikut statistikor i cili tregon madhësinë e ecurive vjetore të erozionit (me të kuqe) dhe akumulimit (me të gjelbër). Vlera e fundit në të djathtë të grafikut tregon totalin e ndryshimit dinamik, në rastin konkret madhësinë e erozionit, pra uljes mesatare të tabanit të shtratit në të gjithë gjatësinë aktive të tij.
Në anën e djathtë paraqitet një prerjeje skematike tërthore në shtratin e lumit Seman në zonën e Kallmit. Rrëshqitje e bregut të djathtë të lumit Seman dhe sedimentim në anën e majtë të tij.
Në grafikun e fundit paraqiten luhatjet e dinamikës së pellgut në një pikë të çfarëdoshme të tij në një nga profilet e monitorimit ku kryhen matjet. Rritja e energjisë reflektohet me proçesin e erozionit ndërsa ulja e vlerës së energjisë rrit sasinë e sedimentimit. Kjo e shoqëruar në mënyrë proporcionale me madhësinë e sedimenteve, pra granulometrinë e materialit prezent në shtrat.
Për të frenuar dhe përmirësuar problematikat e shfaqura në shtrat sugjerojmë si më poshtë:
● Planifikim dhe kontroll të rreptë në menaxhimin e shfrytëzimit të inerteve në shtratin e lumit Seman. Ndalim i menjëhershëm i shfrytëzimit pa kriter të inerteve në pjesët e mesme dhe të poshtme të rrjedhës. Orientimin e këtij procesi bazuar në matjet monitoruese të kryera nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.
● Reduktimin e uljeve të nivelit në shtrat nëpërmjet ndërtimit të pritave apo pengesave tërthore për uljen e energjisë së rrjedhës. Ky proces siguron sedimentim më të madh në sektorët që kanë nevojë për rehabilitim.
● Të mbahet hapur kanali i rrjedhës pranë grykëderdhjes për lehtësimin e shkarkimeve të shpejta në raste plotash intensive dhe shmangien e përmbytjeve.
Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore të marrë informacion të vazhdueshëm nga Shërbimi Gjeologjik për rezultatet e monitorimit në shtretërit e lumenjve për t’i përdoruar ato në hartimin dhe zbatimin e planeve të menaxhimit të baseneve ujore të Shqipërisë.
● Të riparohen veprat e dëmtuara të mbrojtes që janë kryesisht panelet anësore dhe argjinaturat. Panelet e reja anësore në zonat e erozionit anësor të jenë me kënde të tilla që të ulin shpejtësinë e lumit dhe të orientojnë rrjedhën drejt qendrës së shtratit.
● Sugjerojmë shfrytëzimin e burimeve alternative të zonave ku kalon ky lumë për zëvëndësimin total të inerteve lumore me ato malore të pranishme në zonë apo pranë saj.
● Të ndërpritet hedhja e mbeturinave inerte, të eleminohet derdhja e ujrave të zeza në shtrat si dhe të shihet mundësia për pastrimin dhe sistemimin e tyre.