awww
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar mori pjesë në Raw Materials Week 2025, një nga aktivitetet më të rëndësishme të Bashkimit Europian për lëndët e para minerale.
Pjesëmarrja u realizua nga një grup përfaqësuesish të institucionit, të drejtuar nga Z.Adrian Bylyku Drejtori i Përgjithshëm i SHGJSH.
Gjatë ditës së hapjes, diskutimet u fokusuan në analizën e potencialit minerar të Europës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të BE-së, industrisë minerare, shërbimeve gjeologjike dhe investitorëve.
U theksua rëndësia e zhvillimit të mineraleve kritike si litiumi, kobalti, nikli, bakri grafitit natyror dhe elementëve të tokave të rralla, si dhe nevoja për të reduktuar varësinë nga tregjet e jashtme duke krijuar një bazë të qëndrueshme furnizimi për tranzicionin energjetik dhe dixhital.
Në vijim të aktivitetit, delegacioni shqiptar mori pjesë në konferencën kryesore të nivelit të lartë, ku u diskutuan strategjitë europiane të kërkimit gjeologjik, teknologjitë e avancuara të hartëzimit, përdorimi i inteligjencës artificiale, si edhe zbatimi i Aktit për Lëndët e Para Kritike.
Pjesëmarrja e SHGJSH-së forcon prezencën institucionale të Shqipërisë në projektet europiane, rrit mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe investime afatgjata, si edhe promovon vendin si një partner strategjik me potencial të konsiderueshëm minerar në hartën europiane të burimeve natyrore.