ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME E 58-TË E EUROGEOSURVEYS

Krakov, 8 Maj 2025

Më 8 maj 2025, në Krakov të Polonisë, u mbajt Asambleja e Përgjithshme e 58-të e EuroGeoSurveys, ku Shërbimi Gjeologjik Shqiptar u përfaqësua nga Drejtori i Përgjithshëm, z.Adrian Bylkyku.

Pjesëmarrja në këtë asamble përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të rolit të Shërbimeve Gjeologjike Kombëtare në zhvillimin e politikave publike kombëtare dhe europiane, sidomos në menaxhimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore. Shërbimet Gjeologjike janë aktorë kyç në sigurimin e informacionit për potencialet minerare, hartëzimin dhe përditësimin e të dhënave gjeologjike, si dhe në sigurinë e burimeve të rëndësishme për Bashkimin Evropian.

Gjatë punimeve të Asamblesë, u prezantua edhe Agjenda Strategjike për Kërkimin dhe Inovacionin (SRIA 2025–2034), e cila synon forcimin e ndikimit të shkencës gjeologjike në hartimin e politikave publike.

Ndër arritjet kryesore u theksua krijimi i një Platforme Evropiane për Koordinimin e të Dhënave Gjeologjike – CRM, që do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për shkëmbimin e informacionit, forcimin e bashkëpunimit kërkimor dhe përmirësimin e qasjes në fondet e Bashkimit Evropian. Kjo platformë do të rrisë mundësitë për përfshirjen aktive të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar në projektet kërkimore dhe në politikat e BE-së për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.